PARIS2024

Kosova debuton në Lojërat Paralimpike “Paris 2024” – Një moment historik për sportin tonë

Kosova ka shkruar historinë me pjesëmarrjen e saj të parë në Lojërat Paralimpike Botërore “Paris 2024”, duke u rreshtuar për herë të parë në mesin e shteteve pjesëmarrëse në ngjarjen më të madhe të parasportit në botë.

Në këtë debutim historik, Kosovën e përfaqësoi paraatleti Grevist Bytyqi, nën udhëheqjen e trajnerit Adrian Mazreku, i cili garoi në disiplinën 1500 metra në atletikë, në kategorinë T46. Me paraqitjen e tij, ai u bë kosovari i parë që shkel stadiumin Stade de France si paraatlet, i barabartë me sportistët nga e gjithë bota. 

Gara e zhvilluar më 31 gusht shënoi kapitullin e parë të historisë paralimpike të Kosovës. Edhe pse gjatë vrapit ndodhi një incident rreth 200 metra pas nisjes, ku Bytyqi u godit nga një atlet tjetër (i cili më pas u diskualifikua), paraatleti ynë realizoi një paraqitje dinjitoze, duke dëshmuar përkushtim dhe karakter sportiv.

Kjo pjesëmarrje përfaqëson më shumë sesa një garë, është hyrja zyrtare e Kosovës në hartën paralimpike botërore.

Mbështetje institucionale dhe lidership

Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa angazhimin dhe lidershipin e presidentes së Komiteti Paralimpik i Kosovës, Njomza Emini, e cila ka udhëhequr procesin drejt realizimit të kësaj ëndrre të kahershme për lëvizjen paralimpike në vend.

Para nisjes drejt Parisit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i dorëzoi flamurin shtetëror Grevist Bytyqit, duke shënuar një moment simbolik dhe historik për sportin kosovar.

Debutimi u parapri edhe nga ngjarja “Kosova në Paris 2024 – Histori e Re Paralimpike”, ku përfaqësues institucionalë dhe diplomatikë, përfshirë zëvendëskryeministren Emilija Redžepi, ambasadorin e Francës Olivier Guérot dhe ambasadorin e Turqisë Sabri Tunç, përgëzuan Kosovën për këtë arritje historike.

Një kapitull i ri për Kosovën

Pjesëmarrja në “Paris 2024” shënon hapin e parë të Kosovës në Lojërat Paralimpike dhe vendos themele të forta për të ardhmen e parasportit në vend.

Ky debutim nuk është vetëm statistikë, por simbol i barazisë, përfaqësimit dhe besimit se sportistët tanë meritojnë vendin e tyre në skenën më të madhe ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *