Presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar nis vizitën e tij në Kosovë

Presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons, po qëndron në vizitë në Kosovë. Pritja e presidentit Parsons është organizuar nga Komiteti Paralimpik i Kosovës, në krye me presidenten Njomza Emini.
E në nisje të vizitës së tij, Emini dhe Parsons, sot kanë bërë hapjen e garave të boçës, goalballit dhe xhudos, në një atmosferë të mrekullueshme, në palestrën e Pallatit të Rinisë.
Në fjalën e saj, Emini shprehu falënderim dhe mirënjohje për prezencën e Parsons në Kosovë, vizitë kjo, e cila sipas saj, është dëshmi shtesë e përkrahjes së pashoq që si shtet i ri, kemi pranuar nga ky institucion gjigand i paralimpizmit botëror.“Ne, të bashkuar, do të vijojmë rrugëtimin tonë në “Paris 2024”, duke shënuar kështu kalimin e kufijve dhe duke garuar me para sportistë të klasit botëror”, theksoi Emini, drejtuar para sportistëve.


Në anën tjetër, presidenti Parsons tha që është kënaqësi e veçantë prania e tij në
Prishtinë, tani pasi KPK-ja është edhe anëtari më i ri i tyre. Ai shtoi që pranimi i KPK-së ndërkombëtarisht është bërë falë përpjekjeve të një lidere dinamike siç është Njomza Emini, e cila u përkushtua jo vetëm për këtë proces dhe pjesëmarrjen në lojëra ndërkombëtare, por edhe për fuqinë e këtij komiteti si forcë ndryshimi në Kosovë.


Pas garave, Parsons ka vizituar Komitetin Paralimpik të Kosovës, ku takoi Bordin
Drejtues të këtij komiteti, me të cilët diskutoi rreth zhvillimit të paralimpizmit në vendin tonë, sfidave dhe rrugës përpara. Ai premtoi mbeshtetje në realizim të objektivave të tyre.


Vizita e Parsons do të vazhdoj edhe në ditët në vijim, me takime të rëndësishme me përfaqësues qeveritarë dhe krerë institucionesh, personalitete të sportit dhe partnerë të para sportit.
Kjo është vizitë historike, e para e të parit të lëvizjes paralimpike e realizuar në Kosovë, e cila po organizohet nga Komiteti Paralimpik i Kosovës, vetëm pak muaj pas anëtarësimit të Kosovës në këtë instancë ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *